National round table for DMO-s in Albania

Më 23 November 2021, në prezencën e Ministres së Turizmit dhe Kulturës, znj Mirela Kumbaro, dhe aktorëve kryesorë në fushën e turizmit, u zhvillua tryeza kombëtare për DMO-të në Shqipëri. Tryeza u organizua nga DMO-Albania në kuadër të projektit “Rritje e ndërgjegjësimit dhe lobim te politikbërësit për modelin e zhvillimit të DMO-ve në Shqipëri”, mbështetur nga projekti IdeAL i Co-Plan, Instituti për zhvillimin e Habitateve, financuar nga BE.

Si fillim DMO ALBANIA prezantoi projektin, ku u fokusua ai gjatë një viti, prezantoi rezultatin e tryezave me grupet e interest në tre zona: Berat, Pogradec dhe Sarandë, si dhe gjetjet e një studimi të përgatitur nga ekspertë të turizmit dhe ligjeve lidhur me sugjerimin e një modeli funksional për DMO-të në Shqipëri. DMO ALBANIA kërkoi që për një menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve, nevojitet një kornizë ligjore e re, në përputhje me Objektivin 5 të Strategjisë së Turizmit të Qëndrueshëm 2019-2023.

Më tej Ministrja Kumbaro u shpreh se nuk është e domosdoshme të shkojme menjëherë te një ligj I ri, nëse më pare nuk bëjmë një diskutim me grupet e interesit në 12 qarqe të vendit.

Të gjithë aktorët e turizmit të pranishëm, në radhë të parë donatorët: GIZ ALBANIA, RISI ALBANIA, si dhe iniciativat private: Visit GJirokastra, Visit Tirana, Visit Saranda, Visit Dibra, shprehën secili mendimet e veta lidhur me DMO. Ajo që u shpreh ishte mungesa e një bashkëpunimi në nivel local për menaxhimin efikas të destinacionit, po kështu dhe mbivendosja e shumë projekteve të ngjashme.

Në përfundim të kësaj tryeze po listojmë disa konkluzione:

  • Jemi shumë të lumtur që më në fund u hap debati kombëtar me gjithe grupet e interesit për një kornizë ligjore për ‘Organizatat për menaxhimin e destinacioneve’ (OMD ose DMO ne anglisht), bazuar në Strategjinë e Turizmit të Qendrueshëm 2019-2023, Objektivi 5 (Mbështetje për Menaxhimin e Destinacioneve 5.1; Konsolidimi i kuadrit ligjor dhe institucional për menaxhimin dhe operimin e OMD)
  • Jemi plotësisht dakord me sugjerimin e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit znj. Mirela Kumbaro, që të nisë konsultimi në nivel qarku, për të diskutuar me gjithë grupet e interesit për të nxitur partneritetin public-privat-komunitet (P-P-C), për të ezauruar mekanizmat brenda ligjeve aktuale për të menaxhuar destinacionet dhe për të pare më tej mundësitë për ndërhyrje ligjore apo ligj të ri. Mendojmë se është më shumë vlerë konsultimi në nivel qarku, pasi OMD-te duhen parë ‘rajonale’ dhe jo në nivel bashkish të vogla, pasi prodhojnë më shumë turizëm dhe të ardhura dhe e mbajnë më gjatë turistin në destinacion përmes paketave më të plota dhe të larmishme turistike.
  • Jemi shumë të entuziazmuar nga gjithë debati i hapur dhe konstruktiv i gjithë aktorëve: Ministri e Turizmit dhe Mjedisit, institucione varesie AKT, AKB, aktorë lokalë, shoqëri civile e donatorë etj,- ku rezultoi një mendim i sinkronizuar se destinacionet duhet të menaxhohen dhe brandohen lokalisht, pasi lokalët njohin mirë potencialet, nevojat dhe problematikat dhe mund të përshtaten më mirë me krizat e ardhshme.
  • Jemi gjithashtu në një mendje se, menaxhimi efektiv dhe afatgjatë i një destinacioni bëhet nëse ulen vazhdimisht bashkë, sa herë të  jetë e nevojshme, në një tryezë gjithë aktorët lokalë, përfshi Bashki, prefekture, institucione të tjera kulturore e të mjedisit, tur operatorë, hotele, restorante, e biznese të tjera turistike, shoqëri civile e madje dhe komunitet. Ky duhet të jetë një proces i pandërprerë, me aktorë të qëndrueshëm lokalë dhe jo të ndalet në varësi të ndryshimeve politike çdo 4 vjet.
  • Debati lidhur me mbijetesen e DMO-ve aktuale nuk ka të bëjë vetëm me mbështetjen financiare, pasi ka donatorë që ende po i mbështesin për momentin. Debati në thelb ka të bëjë:
    • me përfshirjen e plotë të aktorëve locale të turizmit në vendimarrjen për turizmin në destinacion,
    • në marrjen e një roli të rëndësishëm të këtyre organizatave, në bashkëhartimin e strategjisë se turizmit të destinacionit, në mbledhjen dhe analizimin e statistikave te turizmit, në krijimin e produkteve turistike duke përfshirë gjithë bizneset e turizmit edhe ne zonat rurale, ne bashkëhartimin e kalendarit te eventeve, në kalendarin e promovimit, cilat zona kanë nevojë për turistë (shpërndarjen e turistëve dhe te ardhurave), në organizimin e eventeve, panaireve, por dhe në menaxhimin në rast krize si ajo e pandemisë për të gjetur rrugët e mundshme të vazhdimit të turizmit, gjetjes së tregjeve të reja, apo mbështetjes së bizneseve lokale, në trajnime, punesime etj etj. Që të menaxhohet mirë dhe jo në mënyre kaotike një destinacion, këto çeshtje duhet të diskutohen dhe vendosen në një strukture të posacme, të qëndrueshme, gjithpërfshirëse, pra në një grupim te gjithe aktorëve.
  • Lidhur me partneritetin publik- privat në çdo destinacion ka disa pyetje që kërkojnë përgjigje:
  • Çfarë kriteri duhet të kenë këto partneritete, organizata, që të njihen nga Bashkia, apo Bashkitë e Qarkut, dhe të pranohen si aktorë të rëndësishëm për menaxhimin e destinacionit. Psh do jetë vetëm një portal për brandimin e qarkut apo disa, do jetë vetëm një grupim që do përfaqësojë gjithë qarkun në panaire, apo disa? Do lihet në vullnetin e Bashkisë apo prefekturës që rolin për menaxhimin dhe marketimin e turizmit në atë destinacion, ta marrë një organizate, do ta menaxhojë vetë Bashkia, apo do jenë njëherësh disa organizata, grupime?
  • Sa organizata të tilla mund të ketë një destinacion, a duhet Bashkia apo Prefektura e Qarkut të mbështesë çdo projekt të ngjashëm, duke krijuar mbivendosje funksionesh të organizatave të tilla?
  • Kur ndryshon pushteti në nivel qëndror apo lokal, në njërën apo tjetrën Bashki të Qarkut, kush duhet të garantojë vazhdimin e zbatimit të strategjisë, aktiviteteve, mbledhjes së statistikave, perfaqesimit në panaire etj?. A i duhet lënë më shumë vend privatit në këto organizata dhe roli i bashkisë të jetë suportues, facilitues?
  • Çfarë do ndodhë për OMD në nivel qarku? Çfarë roli mund të ketë prefekti, apo kryetarët e secilës bashki të qarkut lidhur me këto OMD?

Ndërsa konsultimi publik do të nisë në gjithë vendin, ne sugjerojmë që fillimisht të kuptohet mirë nga gjithë aktorët se çfarë janë OMD, dhe ku ndryshon roli i tyre nga çdo partneritet tjeter apo organizatë tjetër në destinacion.

Ne gjithashtu sugjerojmë, që përveç modeleve të huaja, që ekzistojnë pa fund, të mund të shihen dy ligje shqiptare që mund të përdoren si referenca për krijimin e një strukture për menaxhimin e destinacioneve turistike në nivel qarku.

 

  1. Ligji për TID (që rregullon një bashkepunim publik-privat vetem per zonat BID, qendrat historike)
  2. Projektligj për zonat Leader dhe Grupet Vendore të Veprimit për bujqësinë, që pritet të miratohet së shpejti (dhe që rregullon një partneritet publik- privat, ku shteti nuk ka më shumë se 49% të votës, por që rregullon shumë çështje të vendimarrjes së fermerëve nga poshtë-lart në një territor të caktuar).

Kur ka partneritete të tilla për bujqësinë dhe zonat muzeale TID, përse të mos ketë një organizim të tillë per menaxhimin e turizmit në nivel qarku. Turizmi dhe bujqësia janë potencialet kryesore të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, dhe ka ardhur koha që vendimarrja dhe vizioni të vijë nga poshtë-lart.

Edhe në zonat UNESCO, ku ka plan menaxhimi apo struktura menaxhimi, për garantimin e ruajtjes se Vlerave Universale të tyre, udhëzimet e UNESCO kërkojnë domosdoshmërisht përfshirjen e aktorëve dhe gjithë komuniteteve në ruajtjen e këtyre pasurive dhe në vendimarrje, veçanërisht kur bëhet fjalë për turizmin në këto zona, pasi ai duhet të zhvillohet në mënyrë të kujdesshme pa dëmtuar destinacionin, por dhe duke mundësuar maksimizimin e përfitimeve për komunitetin nga kjo pasuri UNESCO. Në shumë vende të botës, në menaxhimin e pasurive UNESCO, me ngritjen dhe të shqetësimeve për overtourism, cdo vendim që nga menaxhimi i fluksit të vizitorëve, shpërndarja e tyre, mbajtja në destinacion për të kënaqur dhe bizneset turistike përreth, etj,  merren në përputhje me dakordësinë e gjithë aktorëve locale. Në këtë këndvështrim, një punë e madhe duhet bërë për edukimin e aktorëve locale, trajnime të vazhdueshme të tyre për të kuptuar rëndësinë e destinacionit ku jetojnë.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Follow by Email