Botimi i librit “Heritage is Our Brand”, përmbylli një tjetër fazë të projektit, i cili fokusohet në tregimtarinë mbi trashëgiminë jomateriale shqiptare. Një studim unik, i realizuar nga një grup ekspertësh shqiptarë historianë dhe arkeologë, ka përmbledhur 40 histori të trashëgimisë tonë shpirtërore që nuk janë paraqitur më parë në këtë formë.
Libri përfshin tregime nga mitologjia, antikiteti, mesjeta dhe periudha moderne, si dhe rituale dhe tradita të pasura kulturore. Mes historive të shumta dhe unike janë Mbretëresha e Deteve Teuta, Mbreti Gent dhe lulja çudibërëse, vera ilire Baliska, rruga historike Via Egnatia dhe Maximus, si dhe tregime mbi mbijetesën e shqiptarëve si Legjenda e Grykës së Vajës, apo rituale si Beja mbi Gur dhe Udha e Krushqve.
Çdo histori shoqërohet me kontekstin historik dhe mesazhet e saj në ditët e sotme, duke i bërë këto vlera të shqiptarëve më të prekshme dhe më të kuptueshme për brezat e rinj.
Botimi është i përgatitur në dy gjuhë dhe synon të ruajë dhe promovojë identitetin kulturor shqiptar.
Ky projekt u realizua nga Prof. asoc. dr. Marenglen KASMI Prof. asoc. dr. Belisa MUKA Prof. asoc. dr. Andi PINARI, duke sjellë një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale shqiptare.
Ai u prezantua gjatë një tryeze me titull: “Fuqia e tregimtarisë në trashëgiminë jomateriale”, ku ishin të pranishëm; përfaqësuesi i Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Andrea Ferrero, zv. ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, znj. Lira Pipa, etnografja e njohur Afërdita Onuzi, Elenita Roshi, Drejtore e Muzeut Historik Kombëtar dhe ekspertë e grupe të ndryshme interesi.
Këto histori frymëzuan edhe qindra artistë nga e gjithë Shqipëria, të cilët sollën idetë e tyre për prodhime artistike, nga të cilat u përzgjodhën 15 prej tyre.