Trashëgimia kulturore veçanërisht trashëgimia jomateriale, është thelbësore në kuptimin e shoqërive historike dhe ruajtjen e vazhdimësisë kulturore. Në një epokë digjitale ku teknologjia po transformon çdo aspekt të jetës sonë, trashëgimia kulturore dhe kryesisht ajo shpirtërore përballet me një sfidë të madhe: si të mbetet e gjallë dhe e rëndësishme për brezat e ardhshëm.
Mes modernizimit të shpejtë, traditat, zakonet dhe monumentet që përfaqësojnë identitetin tonë kombëtar rrezikojnë të harrohen.
Në këtë kuadër projekti i DMO Albania në bashkëpunim me EU Hub Policy dhe me financim nga Bashkimi Europian, synon që përmes teknologjisë dhe digjitalizimit të promovojë dhe të mbajë gjallë trashëgiminë tonë jo materiale.
Më datën 6 mars prezantohet edhe projekti “Heritage is our brand”, “Trashëgimia është marka jonë”, i cili do t’ju japë mundësinë për t’u njohur më shumë mbi rëndësinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Projekti do të nisë me një studim shkencor, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, për të evidentuar 20 -30 histori të trashëgimisë tonë shpirtërore, të cilat më pas, përmes një thirrjeje për grante per artistët, do të kthehen në produkte artistike të ndryshme, dokumentarë, animime, instalacione, ekspozita visuale etj.
Viti i dytë i projektit ka të bëjë me edukimin. Do të ketë një forum me mësuesit e Historisë dhe Letërsisë për t’ua prezantuar gjithë këto produkte dhe histori, dhe më pas do të ketë një konkurs për nxënësit që të sjellin krijimet e tyre të bazuara në këto histori.
Projekti do të lancohet më 6 mars, ora 10:00, në Hotel Tirana International, salla “Blue Room”.
Projekti ka nisur në Janar 2025 dhe do të zgjasë dy vjet, deri në Janar 2027. Ky projekt ka qëllim të angazhojë të rinjtë shqiptarë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore përmes tregimit të historive.
Trashëgimia jomateriale, e cila përfshin traditat, ritualet, gjuhët dhe shfaqjet, mbështetet në mënyrë unike nga pjesëmarrja aktive e komuniteteve. Kjo formë e trashëgimisë ofron potencial të konsiderueshëm arsimor, duke angazhuar si qytetarët ashtu edhe brezin e ri në trashëgiminë e gjallë të kulturës së tyre.
Më poshtë agjenda e aktivitetit për hapjen e projektit:
Prezantimi i projektit: “Trashëgimia është marka jonë”.
E enjte, 6 Mars 2025 (10.00-12.30)
Vendi: Hotel Tirana, “Blue Room”
Moderatore: Elsa Demo
9.50-10.00 – Mirëseardhja e pjesëmarrësve
10.00-10.10 – Përshëndetje dhe prezantim
10.10- 10.20 – Trashëgimia Shqiptare dhe Integrimi në BE
Z. Andrea Ferrero, Drejtues i Qendrës Ekonomike dhe Sociale Seksioni i Zhvillimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri
10.20-10.30 – Rëndësia e Trashëgimisë Jomateriale për brezat
Vasil Tole, nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
10.30-10.40 – Prezantimi i Projektit “Trashëgimia është marka jonë”.
Eva Kushova, Drejtore e DMO Albania
10.40- 10.45 – Regjistri Shqiptar i Trashëgimisë Jomateriale
MEKI- Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
10.45-11.30 – Tour De Table dhe Diskutim (Institucione, Universitete)
11.30-11.40 – Cilat janë aktivitetet e mëtejshme? Thirrje për grante
DMO Albania dhe Qendra e Politikave të BE-së.
11.40- 12.30 Kafe