Heritage is our brand” – 40 histori në mozaikun e identitetit shqiptar

Nga Mbretëresha Teuta te Nënë Tereza, nga qytetërimi ilir deri në kohët moderne, 40 histori unike do të publikohen në platformën tonë “Albania-Heritage” në kuadër të projektit “Heritage is our brand”, një nismë që synon të sjellë në vëmendje trashëgiminë dhe shpirtin e pasur të kombit shqiptar me qëllimin për t’ua përcjellë brezave.

Historitë janë përgatitur nga studiues dhe ekspertë të fushës së historisë, arkeologjisë dhe etnografisë dhe përmbledhin legjenda, rrëfenja, tradita dhe ngjarje që formësojnë identitetin shqiptar.

Që nga qyteti i lashtë i Antigonesë, i njohur si simbol i dashurisë dhe dhimbjes, deri te miti i Kadmit që e lidh Ilirinë me botën mitike, çdo histori sjell një copëz të rrënjëve tona.

Në fokus janë edhe figura historike dhe mitike si Mbreti Gent dhe lulja çudibërëse, besimet e lashta ilire, Nymfeu i Apolonisë, Via Egnatia, por edhe elementë mitikë si Dragoi e Kulshedra te Gjama e burrave, Flija, fyejt e Gramshit dhe Kulla e ngujimit, të gjitha këto si gurë të çmuar në mozaikun e trashëgimisë kombëtare.

Projekti sjell gjithashtu rrëfime për vende me rëndësi historike dhe mitike si mali i Tomorrit, ishulli i Sazanit, varret shkëmbore të Selcës, Ulpiana (Iustiniana Secunda) dhe kodikët e Beratit, duke krijuar një urë të fuqishme mes së shkuarës dhe së tashmes.

Historitë përmbyllen me figurën e Nënë Terezës, si simbol i dashurisë universale me rrënjë shqiptare, dhe me konceptin e “Nënës Shqipëri”, që mishëron ndërgjegjen kombëtare dhe kujtesën kolektive.

Përmes lojërave popullore, artizanatit dhe kulinarisë tradicionale shqiptare, tregohet gjithashtu se çdo aspekt i jetës tonë ka një histori për të treguar.

Kjo është Shqipëria e legjendave, trashëgimisë, shpirtit të pamposhtur dhe mikpritjes që nuk shuhet kurrë dhe që i ka mbijetuar stuhive, luftrave shekullore.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Follow by Email