Koha për krijimin e DMO-ve në Shqipëri

Tourists in Gjirokastra

DMO (Destination Management Organisation), janë organizata për menaxhimin e destinacioneve, të cilat menaxhojnë turizmin në një destinacion të caktuar, duke patur në përbërje përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të bizneseve të sektorit turistik në gjithë hartën e atij destinacioni, përfshi hotele, restorante, artizanë, bujtina rurale, tur operatorë, guida turistike, përfaqësues të zonave të mbrojtura, muzeumeve, organizata të shoqërisë civile etj. Një DMO mund të menaxhojë një qark, një qytet, një fshat turistik, por dhe një park natyror apo arkeologjik, një resort skish etj.

Organizime të tilla duken ende të pamundura në Shqipëri. Është e habitshme se shqiptarët kanë një mendësi për të bërë maksimumin në biznesin e tyre, në shtëpinë e tyre, por kur vjen fjalë te mjedisi i përbashkët, ose për të mirën e përbashkët nuk bashkohen asnjëherë. Shenjë mosbesimi, konkurence, kjo duket e pakuptueshme. Ti mund të kesh shtëpi të bukur, hotel luksoz, por nëse rruga, mjedisi rreth e qark është i pakëndshëm, gjithë investimi yt është pa vlerë. Kjo është pika e parë që të gjithë ata që merren me turizëm duhet të kuptojnë. Pa u marketuar dhe menaxhuar gjithë destinacioni, askush nuk mund të ketë klientët dhe fitimet që dëshiron në turizëm. Mund të kesh një hotel me 5 yje, por nëse pas teje është një fabrikë që lëshon tym, absolutisht je i dështuar.

Shumë të huaj nuk udhëtojnë për t’u futur në një hotel e për të shijuar luksin, por për të perjetuar eksperienca, për të parë sa më shumë në atë vend ku shkojnë, dhe jo vetëm për të qëndruar në një hotel. Ndaj në turizëm aktorët duhet të mblidhen në një tryezë për të artikuluar, diskutuar cdo aspekt të turizmit të zonës së tyre. Jo vetëm të diskutojnë problemet por dhe vizionin, ku duan të shkojnë, cfarë turisti duhan të tërheqin. Këtë rol kanë sot DMO-te në botë.

Organizatat DMO kanë struktura të tilla ku gjithë grupet e interesit kanë të drejtën e votës që për planin e menaxhimit të destinacionit, për vizionin, për bordin që e drejton për gjithë raportet studimore që përgatiten dhe vendimet që merren në bazë të tyre etj. Ata të gjithë informohen për cdo gjë: sa është numri i turistëve, sa janë të ardhurat, si shpërndahen ato, cilat janë problematikat e turizmit në destinacion, cilat janë përshtypjet e turistëve, çfarë duan turistët, çfarë mund të përmirësohet,cilat ligje do i vinin në ndihmë përmirësimit të situatës së biznesit, klimës, apo çështjeve të tjera të ngutshme në destinacion, të cilat i adresohen pushtetit lokal që ka përfaqësuesit e saj në DMO.

Cili është roli i DMO

Këto organizata kujdesen që të mos ketë turizëm rastësor, apo disa mujor, por një turizëm të mirëorganizuar, të qëndrueshëm, afatgjatë, gjithë vjetor dhe me të ardhura të qëndrueshme për komunitetin, por duke ruajtur gjithë trashëgiminë, traditat dhe vlerat e destinacionit.

Një DMO kujdeset që cdo zonë në hartën e destinacionit të promovohet dhe të përfitojë të ardhura nga turisti, duke i përfshirë ato në ture, në guidat turistike, duke i ndihmuar të trajnohen në shërbimet turistike, duke nxitur bizneset që të punësojnë lokale dhe të marrin produktet e lokalëve, për t’u mundësuar të ardhura etj

Një tjetër rol i DMO ka të bëjë me reduktimin e ndotjeve dhe nxitjen e gjithë iniciativave në këtë drejtim. Tashmë pas COVID19, cështja e klimës, e pastërtisë së ajrit është bërë shumë e ndjeshme. Turistët duan zona ekologjikisht të pastra, e jo të ndotura, ndaj një mision i DMO është jo vetëm të dijë ku ndodhet destinacioni, sa e ndot mjedisin por të nisë e të promovojë metodat ekologjike, duke nisur që nga ruajtja e gjjithë atraksioneve natyrore e kulturore, nxitja e perdorimit të bicikletave, e kursimit te energjisë, ujit, reduktimit të plastikës, menaxhimit të plehrave etj.

Janë shumë punë që duhet të bëjë një DMO, dhe në Shqipëri ende organizata të tilla janë në miniaturë. Një model i mirë është Visit Gjirokastra, një shoqatë që po përpiqet të ketë në bord gjithë bisneset turistike të qarkut, për ta menaxhuar sa më mirë turizmin në këtë qark. Është ende herët, por këto iniciativa duhet të shoqërohen dhe me mbështetje ligjore nga qeveria për ta bërë të mundur menaxhimin e destinacioneve ashtu si në vendet e tjera të botës.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Follow by Email